” Dënimi për drejtësi “
Xhemati i një fshati e padisin hoxhën te kadiu.
- Përse e paditni? – pyet kadiu
- Ngase flet gjithnjë të vërtetën! – u përgjigjën xhematlinjtë.
- Po kjo është në rregull, kësi hoxhallarë na duhen, – tha i habitur kadiu.
- Jo, jo… hoxhë të këtillë ne nuk dëshirojmë. Nëse nuk na beson, atëherë thirre dhe bisedo me të, edhe ti do të bindesh se është e pamundur të durohet. – thanë xhematlinjtë.
- Mirë, në rregull! – tha kadiu dhe urdhëroi ta thërrasin hoxhën.
Kadiu me një sy ishte i verbër. Kur erdhi koha, hoxha u paraqit në gjykatore dhe e përshëndeti me selam kadiun. - Alejkum Selam! Merhaba hoxhë – i tha kadiu.
- Merhaba qorr! – u përgjigj hoxha, krejtësisht i qetë.
Kur dëgjoi kadiu çka i tha hoxha, u hidhërua dhe urdhëroi ta largojnë menjëherë hoxhën nga fshati.