Zhgjëndërr
Tridhjetë vjet më parë,
vendës, miq e farefis
jetonim të gjithë bashkë.
Për të rritur kalamajtë,
im atë punonte ditë e natë,
duke dëshiruar dhe ëndërruar
se do të jetonim të bashkuar.
Të voglat shtëpi
mbushur plot me fëmijë,
të etur për dituri.
Kasollet me dele e dhi,
gjethet e duhanit palëzuar,
oborret me pemë lulëzuar,
frutat e perimet s’kishin të mbaruar.
Buçiste kënga e polifonia
gëzohej lagjja dhe shtëpia.
Tani, s’ka më miq e farefis,
s’dëgjohen më zëra gazmorë,
të gjithë kanë ikur,
strofkat janë fikur.
Çanaklëpirësit
i kanë larë borxhet.
Shitën miqtë dhe, nga askushi,
jetojnë si dikushi.
Ju të tjerët, rroni si të doni,
të trishtuar apo
duke shpresuar!
Eh, sa do të doja
të kthehesha edhe një herë
në atë kohë të ëndërruar.
© Xhemi Hajredini
Strugë, 23 janar 2020