Njerëzit duhet të marrin mësim nga mizat e dheut që qeverisin pa kryetarë dhe punojnë të bashkuara gjatë gjithë verës, pushojnë në dimër dhe rrojnë shumë më mirë se njerëzit. “ S. Frashëri
Ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Dijetari i madh Sami Frashëri , në vitet 1889-1898 ka botuar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab enciklopedinë në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe “Kamus ul-a-lam. Kjo është një enciklopedi historike – gjeografike, në të cilën Samiu vëmendje të veçantë u kushton dy shkencave tërhekëse për studim historisë dhe gjeografisë. Dijetari I madh, Sami Frashëri për këta dy shkenca thotë se janë të pandashme : “ Gjeografia dhe historia janë binjake . Kush dëshiron të dijë njërën, është i shtrënguar të mësojë edhe tjetrën. Çfarë do të dinte ai që mëson për ngjarjet historike e që nuk di asgjë për vendet ku janë zhvilluar ato ngjarje! Prandaj vazhdon Samiu gjeografia është e nevojshme për historinë dhe anasjelltas…”
Në parathënien e veprës Samiu thotë se: “ Historia është kohë, kurse gjeografia është vendi, dhe lidhja që kanë koha me vendin është e qartë. “
Duhet theksuar edhe kjo se për të mësuar mbi jetën e njerëzve në të kaluarën dhe sot i drejtohemi historisë, kurse nga aspekti i vendit i drejtohemi gjeografisë, prandaj del e saktë thënia e Samiut se marrëdhëniet midis dy shkencave të përmendura janë të afërta , bile vështirë mund të mendohet ndonjë ngjarje pa vërejtur aspektin e përbashkët e të dy shkencave.
Për të shkruar këtë vepër madhore, Samiu pa dyshim se ka shfrytëzuar edhe literaturë të gjërë, nga lindja dhe perëndimi, por në veçanti ka studiuar dijetarët islam, sepse ata janë marrë shumë me këto çështje dhe kanë shkruar shumë libra voluminoze. Kështu thotë Samiu Hatib Bagdadi ka shkruar vetëm historinë e Bagdadit në mbi 50 vëllime, kurse Ibni Asakiri ka shkruar historinë e Damaskut me 57 vëllime. Në përgjithësi që në atë kohë Samiu ka vërejtur se ekziston nje dallim e madh mes asaj që shkruhet në enciklopeditë perëndimore dhe islame. Përderisa bota islame shkruan në tërësi për ngjarje dhe fakte, bota perëndimore (evropiane) për personalitetet e tyre shkruajnë gjërësisht , kurse për botën islame shkruajnë shkurtimisht, edhepse dihet se dijetarët islam kanë shkruar shumë libra të gjeografisë dhe historisë.
Në vazhdim do të ndalemi dhe të shohim se çka dhe sa ka shkruar Ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare- Samiu për shqiptarët në veprën “ Kamus ul-a Lam “.
Për vendin dhe për popullin e vet Samiu në këtë enciklopedi ka shkruar shumë dhe më lirshëm , bile ka shkruar më shumë se në enciklopeditë tjera ku fare pak ose aspak nuk gjejmë material për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe si gjuhë më e vjetër në Gadishullin Ballkanik. Këtë material e gjejmë në vollumin e pestë të veprës , viti 1896.
Në një kapitull të veprës Samiu për Shqipërinë( Arnautlluk, këtë termin e përdor Samiu në veprën e vet për shqipërinë ), flet për teritorin e Shqipërisë, duke përfshirë aty qytetet, krahinat, kufinjtë e saj, fushat, malet, lumenjtë, liqenet me të gjitha bukuritë e tyre natyrore dhe me të gjitha karakteristikat e tyre gjeografike, historike e demografike.
Në kapitullin për Shqiptarët (Arnaud , shqiptarët ), rëndësi të veçantë I kushton lashtësisë së popullit të vet, por nuk harron të përmend edhe trimërinë , besnikërinë , krenarinë, moralin e lartë të shqiptarëve si dhe për sinqeritetin dhe zgjuarësinë e tyre. Në veçanti përmend besnikërinë e femrës shqiptare.
Në këtë vepër enciklopedike, Samiu ka dhënë edhe shumë të dhëna biografike për shumë personalitete shqiptare nga mbarë venbanimet e tyre . Shkruan për fytyra të dalluara të kombit nga Shkodra , Tetova , Elbasani , Korça , Prishtina , Prizreni, Ohri , Shkupi , Manastiri,Tirana,Dibra etj. Shumica e këtyre personaliteteve ndoshta deri atëher kanë qënë të panjohura për popullatën shqiptare dhe nuk kanë ditur as për të bëmat e tyre kulturore , letrare apo historike – heroike. Kështu aty do të njihemi me fytyrat e Skënderbeut, Abdyl Frashërit, Hoxhë Tahsinit, Ali Pashë Tepelenës, Elena Gjikës, Mojsi Golemin , Hamza Kastriotin,Bushatlinjtë edhe bashkëluftëtarët tjerë të Gjergj Kastriotit. Duke shfletuar këtë vepër lexuesi njëherit do të njihet edhe me fytyrat eminente apo kryeministrat shqiptarë që kanë udhëhequr në Perandorinë Osmane ,( A.M. Pashë Tetova, Ilaz Beu, stërgjysh I Samiut për nga nëna dhe themelues I qytetit të Korçës, Sinan Pasha , pushtues I Jemenit edhe shumë të tjerë ).
Në faqe 27 të veprës për shqiptarët Samiu thotë : “ Ky popull banon në Gadishullin Ballkanik që prej kohësh shumë të hershme, që nuk I kap historia. Ai e ka treguar veten shumë herë. Ndonëse ka pasur marrëdhënie me Graqinë e vjetër dhe me Romën, gjithmonë ka jetuar veçmas prej tyre. Mirëpo,është shfraqur i përzier me kombe dhe popuj të tjerë, por asnjëherë nuk është shikuar si një komb i bashkuar dhe me gjuhën e vet kombëtare, prandaj deri në kohët e vona ka mbetur i panjohur ..”(plotësim R.B.).
Samiu , poashtu si Pashko Vasa veprën nuk e ka shkruar në gjuhën shqipe, jo se nuk e ka njohur atë , por qëllimi I tij ka qënë ndërkombëtarizimi I gjuhës shqipe dhe permes saj të bëj aktuale çështjet kombëtare shqiptare.Qëllimi I tij ka qënë që me argumente të forta të bind opinionin botëror për lashtësinë e popullit shqiptar, për Shqipërinë dhe për aftësinë e popullit të saj për të udhëhequr vetë me atdheun e tyre , pa ndërhyrje nga jashtë.
Pref. Dr. Mehdi Polisi për ketë enciklopedi të Samiut shprehet : “ Veprën madhështore “ Kamus ul-a’ lam “ Samiu e shkroi në kohën e pjekurisë shkencore. Kjo vepër me cilësinë dhe saktësinë faktografike do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje vepër shumë e nevojshme për histografinë përgjithësisht, e për shumëçka burim i dorës së parë, kurse autori i saj, Sami Frashëri , dijetar në suaza ndërkombëtare.
Shënimin për veprën enciklopedike : “ Kamus ul- a’ lam” do ta mbaroj me nje fjalë të urtë të Samiut që thotë : “ Njeriu merret me diturinë dhe shkencën gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i nxë ato, në rini i zbaton, ndërsa në pleqëri i mëson të tjerët .
Resul Bektshi , Strugë , janar 2020