Shumë kohë më parë, jetonte një pemë molle shumë e madhe. Një fëmijë i vogël pëlqente të luajë përreth saj çdo ditë. Ai kacavirrej degëve të pemës dhe ngjitej në majë të saj. Këtë e bënte çdo ditë të javës, duke shijuar frutat e saj të ëmbël, si dhe hijen e saj plot freski ditët me diell të nxehtë. Ai e donte pemën dhe pema e donte fort atë. Koha kalonte dhe djali i vogël filloi të rritej, prandaj dhe filloi të mos shkojë të luajë çdo ditë tek pema e tij e dashur. Pasi kishin kaluar shumë ditë pa vajtur, djali u kthye sërish tek pema, e cila e mërzitur dhe dëshpëruar i tha:”Hajde luaj me mua!”
“Unë nuk jam më fëmijë” iu përgjigj djali “dhe nuk luaj më përreth pemëve si puna jote. Tashmë dua lodra, por për ti blerë ato më duhen para.”
Pema i tha:”Më vjen shumë keq, por unë nuk kam para. Por, ti mund të vjelësh frutat e mi, ti shesësh, të fitosh para dhe të blesh lodrat që dëshiron.”
Pa e zgjatur fare, djali iu ngjit pemës dhe filloi të mbledhë frutat e saj aq të ëmbël dhe të shijshëm. Pasi mblodhi një sasi të madhe, i çoi në pazar dhe i shiti. Ai nuk u kthye tek pema për një kohë të gjatë, gjë e cila e dëshpëroi pemën.
Një ditë, djali u kthye tek pema e cila me ta parë u gëzua dhe i tha:”Hajde luaj me mua!”
Djali ia ktheu:”Po unë nuk kam kohë të luaj. Tashmë unë jam burrë dhe më duhet të punoj për të mbajtur familjen. Neve na duhet një shtëpi ku të fusim kokën.”
Pema iu përgjigj:”Më vjen shumë keq, por unë nuk kam shtëpi që të ta jap ty. Oh, por unë mund të të ofroj degët e mia. Ti mund ti presësh degët e mia dhe të ndërtosh shtëpinë tënde.”
Menjëherë, djali përveshi mëngët dhe i hyri punës. Ai i preu të gjitha degët e pemës, i ngarkoi dhe u nis gjithë gëzim të ndërtojë shtëpinë. Pema ishte shumë e gëzuar për faktin që i kishte shërbyer mikut të saj të vjetër. Me gjithë këtë shërbim, djali nuk u kthye për një kohë të gjatë ta shohë mikeshën e tij altruiste. Sërish pemën e kaploi dëshpërimi dhe hidhërimi.
Shumë vite më pas, djali kthehet dhe pema ngazëllehet kur e sheh. “Hajde luaj me mua!” i tha ajo e ekzaltuar.
Djali iu përgjigj:”Por unë nuk mundem të luaj. Unë ndihem i dëshpëruar sepse po plakem. Do të më pëlqente të lundroj, pasi kjo më relakson, por ç’ti bësh, nuk kam varkë, e marrtë e mira e marrtë!”
Pema i tha duke buzëqeshur:”Po ti mund të përdorësh trungun tim për ta ndërtuar një varkë dhe kështu, do të mund të lundrosh dhe relaksohesh.”
Menjëherë djali e preu trungun e pemës dhe me të ndërtoi një varkë. Me ta përfunduar u nis për lundrim. Për shumë vite të tjera ai nuk u kthye tek mikesha e vjetër, e cila filloi të mërzitej dhe dëshpërohej.
Kur më në fund u kthye përsëri, pema u gëzua shumë që po e shihte. Si me keqardhje ajo i tha:”Më vjen shumë keq miku im i dashur! Tashmë nuk kam fruta për të ngrënë, as degë për tu kacavjerrë dhe as trung për të kërcyer dhe luajtur.”
Djali iu përgjigj:”S’prish punë mikeshë. As unë nuk kam më dhëmbë për ti ngrënë frutat e tu dhe jam shumë i moshuar për tu kacavjerrë në degët e tua. Gjithçka që dua në këto çaste, është një vend ku të shtrihem dhe të pushoj.”
Pema i tha:”Shumë bukur! Kam një ide që mund të hyjë në punë. Të lutej, afrohu dhe ulu përbri meje, mbështetu tek unë dhe pusho!”
Djali u ul përbri pemës dhe u mbështet në pjesën e mbetur të trungut të saj. Ai buzëqeshis dhe dy pika loti i rrëshqitën nëpër faqe, mikesha e tij e vjetër i ishte gjendur pranë sa herë kishte pasur nevojë.