Engjëjt fluturuan bashkë
(Elegji për engjëjt)
Fund, urrejtja mbyti bukurinë,
një djall vrau dashurinë!
U qëlluan engjëjt buzëqeshur,
se përbindëshi s‘kishte fjetur!
Ju të Perëndisë shërbëtorë,
Flisni! A preken engjëjt me dorë?!
Demoni i xhelozisë, i vrau në pabesi,
engjëjt ikën, si yje në përjetësi.
Rënkime nëne, lot dëshpërimi,
malet buçasin nga zemërimi!
Ndjeni vajtimin e luleve e t’çatisë,
therje kockash, dhimbjen e shtëpisë?!
Sa shpejt fluturoi mendja n’Jaravil,
kur qëlloi pa keqardhje, njeriu katil,
mbi kreaturat qiellore, me kurorë,
engjëjt, shpirtbardhët si dëborë!
Moj nënloke ç’mënxyrë kështu na gjeti,
perri nusja, arbër Struge dhëndri,
fryma ndalet dhe zemrat rënkojnë,
dy engjëj që veç bashkë fluturojnë.
Nga Xhemi Hajredini
Strugë, 4 janar 2020