Opera Skënderbeu – Kompozitor Fatos Lumani nga Struga

Opera Skënderbeu – Kompozitor Fatos Lumani nga Struga

Nga Latif Mustafa

Mbrëmë, në teatrin e operës dhe baletit në Shkup, u luajt opera “Skënderbeu” e kompozuar nën konsumimin e çdo qelize frymëzuese shpirtërore të kompozitorit Fatos Lumani. Nën përkujdesjen e mjeshtërisë dhe thellësisë përjetuese të triadës: libretistit Arian Krasniqi, regjisorit Qendrim Rijanit dhe dirigjentit Olsi Qinamit, arrita që formë të çelnajës të përzier me ndjenja çlirimi dhe shpalosje të elemente thelbësore të dashurisë të përjetoj katarzisin e shfaqjes.

Të vësh në lëvizje gjithë atë trupë, përpos që kërkon mjeshtëri të rrallë, kërkon mund dhe përpjekje të shterrueshme në koordinimin dhe sinkronizimin e saj. Koordinim i veçantë në skenë, harmonizimin i veçantë në orkestër, si dhe sinkronizim në mes trupës teatrale dhe orkestrës. Vërtetë madhështore. Kur kemi parasysh lëvizjet trupore dhe faciale, me aq sa mund të vëreheshin prej rendit të parë, honepsja dhe kapërdimi i gjithë kësaj, kërkon përpjekje gjithëpërfshirëse për konceptimin dhe përjetimin e tragjedisë në ngjyra dashurie.

Opera përpos sfondit estetik dhe semantik ajo përmban një thellësi metafizike që të bën të meditosh rreth ekzistencës si ontologji dhe politikë. Në thellësitë më skalitëse të kësaj opere nuk është sakrifica e Skënderbeut, si akt dashuror dhe profetik, siç paraqitet tek profeti Mojsi; por fuqia e dashurisë së gruas si përjetim i dashurisë kozmike, thirrje dhe vizion ëndrrash për më të shenjtën, tokën. Në fakt, mbase për herë të parë, e pamë një Skënderbe të shkarkuar nga identitetet mbingarkuara dhe mbindërtuara politike qytetërimore. Sikur për herë të parë, Skënderberu, i gjallëruar përmes Armaldo Kllogjerit, përpiqej të fliste në vetën e parë, i deporsaniluar nga epshmëria jonë partizaneske e përvetësimit politik. Thjesht, ishte lakuriq me të vërtetën në të lartë. Njerëzoren. Përbrendësimi dhe shpalosja e dashurisë ndaj Fatimes, e gjallëruar përmes Zana Abazit, në formë petalesh trëndafili, ishte shënjuesi më i fuqishëm, i shëmbëllimit të dashurisë për Zotin dhe profetin e shenjtë. Dashuria ndaj femërores është forma dhe përmbajtja arketiopre e përjetimit të dashurisë së kulluar të Zotit. Ngjashëm ishte edhe me Fatimen. Dashurinë, si ideal, e ruan veç dhembja e ndarjes.

Ngaqë tek dashuria ndaj Fatimesë ndërhynte pushteti si miklim, Skënderbeu do të yshtet drejt dashurisë së parë femërore, tek e cila gërshetohen fijet e origjinës së dashurisë, kuptimit manifestues të çdo dashurie tjetër në sy të qiellit e të tokës; Dashuria e Nënës. Nëna si shëmbëlltyrë e Zotit në tokë. Vizionet dhe ëndrrat me djepat e zbrazët, e të mbushur me dhe ishte maja rebusit semantik ku dashuria ndaj tokës dhe mëmëdheut kultivohet në gjirin e nënës. Në ëndrrat e tij, mos arritja e përqafimit të nënës dhe puqjes së zemrave ishte rezultat i një grimce dashurie që ai shtresonte për pushtetit botëror. Një pushtet i tillë e kishte prangosur dhe i shkaktonte ankth të thellë. Plotësimi komplementar i kësaj dashurie hyjnore është motra, Mamica e gjallëruar mjeshtërisht përmes Nina Muhos. Vetëshpalosja e dashurisë së Skënderbeut bëhet përmes trinitetit dashuror të dashnores, nënës dhe motrës.

Pjesë po aq mbresëlënëse ka qenë edhe vegimet, vizionet dhe ëndrrat e Hasan agait për kumtin dhe triumfin e fitores së Skënderbeut, të gjalluar në mënyrën më mjeshtërore nga Armando Likaj. Hasan Agai duke qenë si udhëheqës i kështjellës së Krujës po ashtu edhe si Pîr i tarikatit mevlevi determinizmin e Skënderbeut e përjeton nga thellësia mistike, e cila po ashtu i vetëshpaloset si e vërtetë e skalitur qysh në ezel, në thellësitë më të larta të qiellit; e vërtetë kjo që nuk mund të pengohej, por dervishit të vërtetë nuk i mbetej tjetër por t’i nënshtrohej këtij kaderi që shëmbëllente e vegullonte si mirazh në ëndrrat e tij. Ai e dinte si Zoti një, se ky kthim është thirrje e nënës që buçet rendet e qiejve.
Dhe krejt në fund, lajtmotivi i kësaj opere, besoj unë, duhet të jetë burimi i pashtershëm frymëzues i gjithë kësaj kryevepre.

Pjergull o, mori pjergull o,
kush të ka, lënduar o,
kush të ka lënduar o
Kush largoi bijtë, nga votra o mallku qoftë,
nga i Madhi Zot!
mallku qoft nga i Madhi Zot!
Kush m’largon bijtë, nga votra mallku qoftë,
nga i Madhi Zot,
mallku qoftë nga i Madhi Zot!

Si publik kemi të drejtën e interpretimit shteruese me qëllim të plotësimit hemeneutik dhe kuptimor të operës. Ajo fton për nevojën për një reflektim ndryshe ndaj personalitetit dhe të bëmave të Skënderbeut, duke e dekolonizuar atë nga semantika shumëkuptimore e orientimit në apokalipsin e shpifur qytetërimor. Opera jep mesazhin e një Skënderbeu, që midis pushtetit dhe dashurisë nënore, zgjedh të dytën duke mos lejuar asnjë lloj pushteti ta korruptojë atë, dhe si i tillë mos ta zhgënjejë asnjë nënë. Në anën tjetër pjergulli mbart kuptimin më të mirë të vazhdimësisë historike të shtrirjes në kohë dhe hapësirë të një populli kaq të vjetër. Mesazhi më depërtues mbase ngërthehet në refrenin e fundit duke dhënë mesazhin më universal përmes shkoqitjes së mallkimit të nënës, si liturgji e thellë, lutje e mekur në piskamë për bijtë që iu janë bërë dhé në djepin bosh. Nëma dhe mallkimi i nënës, herët a vonë, si akt më i lartë dashurie dhe lutje e sinqertë që gris çdo vello midis saj dhe Zotit; do t’i bie në kokë e do t’i shemb për toke të gjithë ata që po zbrazin e lënë shkret, gjirin e dashurisë nënore, djepat dhe votrat tona.

Ju lumtë, duartrokitje nga thellësitë e zemrës! Suksese të tjera!