Fluturim frymëzimi – Prof. Xhemi Hajredini nga Struga

Fluturim frymëzimi

Dalëngadalë e qetë-qetë,
si shtegtarët det më det,
nga gryka e Drinit të Zi,
larg shtëpisë n’Oqeani.

Le të dalë ku të dalë,
anglishtja ime çalë-çalë.
Di frëngjisht, a flasin vallë?
Më thonë: rrallë-rrallë.

Po kroatisht a italisht?
Jo, askush realisht.
Po shqip a flet dikush?
Të gjithë, zemrat prush.

Fluturimthi ky udhëtim,
për timin fis plot mallëngjim.
Zemra mal, o Omar Kajam,
ashtu si thua, dy jetë kam.

Një itinerar duke ndjekur,
m’iku truri, ç’tokë kam prekur!
Po shoh një të bukur ëndërr…
apo një nuse dhe një dhëndër?!

Isha qorruar që shoh më mirë,
ç’është kjo ndjenjë ilir i lirë?!
Zbuloj veten a një kontinent,
ç’treg është ky, ç’kontingjent?!

Ndryshe nga fluturimi poetik,
këtu të kredhur n’gjumë letargjik!
Zoti bereqet në tru na dhëntë,
se na i ka pirë sorra mendtë!

Dhe sa vjeç jeni, mos më thoni,
as për vendlindjen, nëse doni!
Më tregoni ku keni udhëtuar,
kush jeni e ç’keni mësuar?!

Nga Xhemi Hajredini
Strugë/Melburn, dhjetor 2018/2019