
Për të relaksuar veten dhe ju miq të “surrat qitapit”!
Një poçe groshë (satirë)
Baba në pazar ka shkuar,
gjyshi e kish urdhëruar,
për të blerë ca kile groshë,
s’shkonte vetë, ish në moshë.
Groshanik, i shkrepi plakut,
le t’i dalë tym oxhakut!
Do t’na vijnë dhe mysafirë,
le të ketë ca ëmbëlsirë!
Gjyshja: Ti do groshanik,
mua ma ka ënda petanik.
Në hall nëna, edhe halla,
me kërkesa si në përralla.
U hodhën ca nipër e mbesa,
do t’na vijnë kushërinj pa ftesa,
ndaj na bëni pogaçe e kulaç,
të pjekur mirë e mirë në saç.
Një poçe groshë, foli axhua,
se do më vijë edhe baxhua,
ka ca ditë që më ka thënë,
të shkretin e lënë pa ngrënë.
Nëna, halla edhe tezja,
e fillojnë që nga mezja,
që t’u vënë diçka të hanë,
mos ta fshijnë bakllavanë.
Piq, hiq e pastro, gratë,
u ngrit gjyshi me uratë.
Rrofshi e qofshi përgjithmonë,
zonja konaku t’oxhakut tonë!
Iku grosha dhe kaposhi!
U çua në këmbë dhe dajoshi:
Bereqet Zoti u dhashtë!
Ikim tani e t’i nxjerrim jashtë.
Nga Xhemi Hajredini
Strugë, 18 dhjetor 2019

