Dy ditë në qytetin e Xhuzepe Verdit – Fjalim nga Prof. Xhemi Hajredini

Ne, me qytetërim arbnor, duhet të krenohemi me historinë dhe personazhet e historisë sonë.
E shikoni se ç’bëhet sot, këtu në Parma, edhe pas pas 550 vjetësh emri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, arrin të bashkojë popuj. Emri i shenjtores sonë, Nënë Tereza, vazhdon t’i ngroh akoma zemrat e besimtarëve dhe varfanjakëve.
Jeronim De Rada te Skënderbeu, nuk admironte vetëm njeriun me kurajo, strategun e aftë, por edhe krijuesin e një ideje të vëllazërimit, ai që kishte ndezur një zjarr të shenjtë në zjarrin e fisit e që ua kishte mësuar njerëzve të lidhur nga i njëjti gjak dhe e njëjta gjuhë, me qëllim që të konsiderohen bij të së njëjtës nënë.
Nga personalitete dhe historianë të huaj, ai ka marrë edhe epitetin “Ideatori i aleancës së parë euroatlantike”.
E shikoni se ç’bëhet në Durrës e rrethinë, pas rënies së tërmetit?! Ka ndodhur bashkimi i paparë i kombit, një strukturë antisizmike, një solidarizim i vrullshëm, një fisnikëri vëllazërore. Gjaku, edhe pse i shprishur, që thonë arbëreshët, nuk bëhet ujë.
Kjo quhet atdhedashuri.
Atdheu do punë, do mend e dashuri, jo inate, mllef e kokëfortësi. Kështu do të bëhet edhe rindërtimi i Shqipërisë.

N’daç me gzue t’bukrën liri
mos shkel fis, as mik, as fe,
pse n’kto sheja bota mbarë
na dallon se jem shqiptarë… (At Gjergj Fishta)

“Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. (Faik Konica)
Apostull i idesë kombëtare është shqiptarizmi. SHQIPTARI duhet të falet, t’i lutet Zotit, të jetojë e të vdes si shqiptar. Luftërat fetare janë të panjohura për shqiptarët. Shqiptari para së gjithash është shqiptar, e kanë konfirmuar edhe të huajt këtë konstatim. Diga mbrojtëse, diga e rezistencës kundra sfidave aktuale politike dhe jo vetëm është shqiptarizmi.
Shqiptarë, kosovarë, arbëreshë, shqiptarë të Maqedonisë, shqiptarë muslimanë, katolikë apo ortodoksë, janë të gjithë SHQIPTARË. Duke mbrojtur vlerat tona kombëtare, tolerancën e trashëguar ndërfetare, trashëgiminë kulturore, do të jemi komb më i dashur dhe më i respektuar nga të tjerët.
Arshi Pipa, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, që ka vepruar në SHBA, duke modifikuar paksa thënien e Fishtës, ka thënë: “Ne i kemi të ndryshme Bajram e Pashkë, por besë e nder i kemi bashkë”
Atdhedashuria, shqiptarizmi, janë ndjenja të thella shpirtërore dhe këto nuk mund të injorohen. Me këto virtyte kemi bërë miq e dashamirë të kombit e të vendit tonë. Vlerat e shqiptarizmit janë letërnjoftimi i shqiptarëve. Atdhedashuria është pjesë edhe e besimeve fetare. Nuk besoj të ketë ndonjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj atdheut dhe dashurisë së tij ndaj Zotit. Imazhi i kombit në botë pasqyrohet nëpërmjet vlerave kombëtare: gjuhës, kulturës, traditave, trimërisë, zhvillimit ekonomik, nëpërmjet paraqitjes së natyrës së bukur e të mbrojtur, sigurisë, të qenurit shqiptarë të mbarë, të mirë, të lirë…
Mirënjohës ndaj të gjithëve por më shumë ta duam vetveten dhe atdheun tonë, sidomos tani që po lëngon!