Shqip, or tungjatjeta!
Me të gjitha shkronjat e vërteta,
shkruaj shqip or t’u zgjattë jeta!
Tridhjetë e gjashtë, mos u ngatërro,
i kemi të shtrenjta, mos i harro!
Ç dhe Ë dy germa dalluese,
si rrezet e diellit, janë përvëluese,
nëse s’i përdor, drejt edhe mirë,
fjala humb kuptimin, shkon në humbëtirë.
“Linguam iliricam”* të vjetër e kemi,
një alfabet për të gjithë sa jemi,
foli At Gjergj Fishta në Manastir,
Hafëz Ali Korça “Të lumtë o bir”!
Nder dhe respekt për këta dijetarë,
nga një mision në tjetrin, të pandarë,
bashkuan mendjet për ABC-në e njësuar,
gjuhën e perëndisë për ta lartësuar.
Për alfabetin, kur të bjerë fjala,
të gjitha gjuhëve të gjalla, bëju të fala!
Shkruaj e shqiptoj gjuhët e botës mbarë,
Me 36 shkronjat, si margaritarë.
Nga Xhemi HAJREDINI
Strugë, 20 nëntor 2019
(Me rastin e 111 vjetorit të Kongresit të Manastirit)
*Për gjuhën e shqiptarëve, e njohur si “Linguam Illiricam”, Gotfrid Vilhelm Leibniz (Lajbnici): mendoj se është e denjë të studiohet… Ky enciklopedist dhe filozof gjerman nuk shprehu interes vetëm për gjuhën shqipe, sikurse njihet tanimë, por edhe për shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.