Nga Ebu Seid Sa’d ibn Malik ibn Sinan el-Hudrij r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Dikur para jush ka qenë një njeri që ka vrarë nëntëdhjetë e nëntë veta, ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë. Atë e udhëzuan te një murg (prift). Shkon te murgu e i thotë se ka vrarë 99 veta, andaj a ka për të teube (mëshire prej All-llahut dhe falje).
Murgu i thotë se për të nuk ka teube. Ky e vret edhe murgun dhe me të i plotëson njëqind të vrarët. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë, e udhëzuan te një dijetar. Ky pasi e gjen i tregon se ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka për të teube?
Dijetari i tha: “Po! E cili është ai që mund të ndërhyjë ndërmjet tij dhe teubes së tij? – Shko në atë vend dhe në atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-llahun edhe ti adhuroje All-llahun me to dhe mos u kthe kurrë në vendin tënd, sepse është vend i keq”.
Njeriu u nis për në vendin e adhurimit të All-llahut dhe kur arriti në gjysmën e rrugës i erdhi vdekja. Atëherë lindi grindja në mes engjëjve të mëshirës dhe engjëjve të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar kah All-llahu i Madhërishëm”.
Kurse engjëjt e dënimit thanë: “Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë”. Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut e këta e morën për gjykatës që të gjykojë se cilët kanë të drejtë.
Ky u thotë: “Matni në mes dy vendeve (vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve), e më afër cilit vend të jetë, atij vendi edhe i takon”. Engjëjt e matën hapësirën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte, andaj e morën engjëjt e mëshirës”. (Muttefekun alejhi)
Në Sahihun e Buhariut është ky transmetim: “Njeriu i penduar ishte më afër vendit të ibadetit (adhurimit) vetëm për një pëllëmbë, andaj dhe u llogarit si banor i tij.
Po ashtu, në Sahihun e Buhariut i shtohet edhe ky citat: “All-llahu i urdhëron njerit vend (të keqit) largohu kurse tjetrit vend (të mirit) afrohu, pasta urdhëron engjëjt të masin largësinë në mes dy vendeve, e engjëjt konstatojnë se i penduari është vetëm për një pëllëmbë më afër vendit të teubes (pendimit) dhe ibadetit – andaj iu falën mëkatet”. Kurse në një transmetim qëndron: “Me gjoksin e zemrën e tij ishte më afër vendit të teubes dhe devotshmërisë”.