POEZIA/ Kur Migjeni qante në vargje “Vetminë” e tij (origjinale)

Këto ditë në qiejt e botës do të nisë të fluturojë avioni model Boeing 737 800 i linjës AirAlbania, i pagëzuar me emrin e Migjenit, poetit të dashur të melankolisë. Dhe me gjasë, shumë shqiptarëve që do të ngrihen në qiell me emrin e poetit, do t’u vijnë ndërmend vargjet  e tij të pavdekshme.

E veç librave, në formën e tyre më të magjishme ato vargje strehohen, brenda dorëshkrimeve origjinale, në letrat e zverdhura ku ai rrëshkiste dorën mbi 80 vjet më parë, aty, në dosjet e krijimtarisë së tij, të cilat ruhen në fondin personal të Migjenit në Arkivin Qendror të Shtetit. Në ato dorëshkrime gjendetnjë pjesë e qenies së tij.

Ndërsa shfleton mes fletëve të njërës prej dosjeve me krijimtari poetike të Migjenit ia vlen të ndalesh tek “Vetmija”, një poezi himn ku sundon shpirti i tij melankolik. Për lexuesit tanë e sjellim të plotë si më poshtë bashkë me fotot e dorëshkrimit të rrallë të poetit.

Vetmija

Më plak mërzitja

Që vetmija më sjell,

Përbuzja, urrejtja

të gjithë sendet m’i mbshtjell

dhe kam shum anmiq

të liqë

në këto sende pa shpirt.

Nuk flasin

as sy s’kanë

Por mue m’bahet

se aty janë

vetmë që të më plasin

zemrën.

Së paku të më shajnë

–              I mallkuem!

Së paku të më tallin

–              I vnuem!

Së paku të më këndojnë

–              I yni Zot!

Ose të më thonë

–              Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në ket vetmi me dëgjue

Ose të më tregojnë historinë

e tyre, autobiografinë

ndosht’ atje do gjej gjasim

me jetën teme pa tingllim

që në vetmi po e kaloj-

dhe spo dij a rroj a s’rroj

Sendet heshtin.  – Sa të  pa mshirë!

Më bajnë dhe unë të hesht me pahir,

Pse gojë s’kanë

Dhe nuk flasin

Aty janë

Vetëm të më plasin

Zemrën teme që po vuen

Dhe ën mërzi vetveten truen.

13 –VI/37, Pukë.