
*****
dikush do niseshte për tek unë
një zog i trembur prej largësish
e do kërkonte nëpër botë
kufomën time copë më copë…
a sot a nesër nuk e di
dikush do niseshte për tek unë
e do kërkonte shpirtin tim
pak shpirt t’i jepte nga shpirti i vet…
dikush do niseshte për tek unë
dhe nisje – pritjet e bënë legjendë
se zogu i trembur prej largësish
të çante ajrin kishte frikë…