Kosova ndeshet sonte në mbrëmje kundër Anglisë, në një ndeshje që rrezikon të na e prish ecurinë pozitive prej 15 ndeshjesh pa humbje. Por, është një futbollist shqiptar që iu kishte shënuar një ndër golat më sensacionalë që anglezët kanë pranuar ndonjëherë. Emri i tij është Artim Shaqiri (Artim Sakiri) dhe aktualisht bën pjesë në klubin e Flamurtarit të Prishtinës në cilësinë e trajnerit. Ai ishte bërë i famshëm për një gol të jashtëzakonshëm që i kishte shënuar Anglisë nga një goditje prej kornerit.
Kishte qenë tetori i vitit 2002, pas kampionatit botëror të zhvilluar në Kore të Jugut dhe Japoni, kur Maqedonia kishte vizituar Anglinë, shkruan Periskopi, përcjellë gazeta Koha. Anglia që kishte në përbërje yje si Sol Campbell, Gary Neville, David Seaman e David Beckham, ishte turpëruar nga goditja e tij që e kishte kaluar në epërsinë ekipin maqedon.
Shaqiri ka pasur një karrierë të bujshme si futbollist, dhe ka arritur që të luajë edhe në Premier Ligë për ekipin e West Bromwich Albion. Paraprakisht ai kishte shkëlqyer për CSKA-n e Sofies, Malatyasporin në Turqi e Goricën në Slloveni.
Shijojeni këtë gol, megjithëse pamja nuk është aq e mirë shkaku i teknikës së kohës.