MIKPRITJA ARBËRESHE – Prof.Bexhet Asani nga Struga

MIKPRITJA ARBËRESHE
apo
Takim pas 550 vjetësh

Shkruan:
Bexhet Asani

Më 19 gusht 2019 Mikpritja te shqiptarët është llogaritur pothuaj si e shenjtë. Mikpritja shqiptare është mjaft e njohur edhe nga të huajt. Për mikpritjen populli ynë ka krijuar një numër të madh fjalë të urta. Do të shënoj vetëm një tregim dhe një fjalë të urtë: “Shtëpia e shqiptarit e mikut dhe e shtegtarit.” Në kohën e Perandorisë osmane e kanë zënë një kryengritës shqiptar dhe e kanë dënuar me varje, me litar. Në çastin e ekzekutimit e pyet ekzekutuesi; “A ke qenë ndonjëherë më ngushtë se sot!?” Pa u menduar, trimi përgjigjet; “PO. Kam qenë.” “Kur ke qenë?” “Kur më ka ardhur miku në shtëpi dhe unë, nuk kam pasur bukë për t’i dhënë!” Lirisht mund të konstatojmë se mikpritja shqiptare ka qenë e shenjtë për shqiptarët. Prandaj mikpritja arbërore – shqiptare është e kodifikuar në Kanunin e Lekë Dukagjini dhe në Kanunin e Skënderbeut. Kam marrë disa ftesa nga motrat dhe vëllezërit e m’ i arbëreshë nga Kozenca e Kalabrisë, nga Hora e Arbëreshëve të Sicilisë, nga Kremona në Itali etj. Një motra ime arbëreshe nga Catanzaro më shkruante një ditë: “Profesor keni ardhur në Firmozë, e nuk më kërkuat të më takonit..!?” Ky mesazh më ra si bombë! Fët e fët i shkrova motrës sime: “ E nderuar (M.C.) nuk e di se kush ju ka informuar gabimisht se unë kam qenë në Kozencë, nuk dua të them se ju ka gënjyer, por unë nuk kam qenë asnjëherë as në Kalabri, as në Sicili..! Rroj me shpresë se një ditë do t’ u vizitoj!” U sqaruam më në fund. Natyrisht se edhe unë kam ftuar mjaft motra e vëllezër arbëreshë. Para disa muajve më erdhi një ftesë, jo nga Kalabria, as nga Sicilia por nga Pensilvania, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte një ftesë, e thjeshtë, por që kishte përbrenda një çiltëri të jashtëzakonshme. Gjatë kohë vramë mendjen me time shoqe Afërditën: të shkojmë, të mos shkojmë!? Na dilnin shumë arsye që të mos shkonim! Mijëra arsye të tjera që të shkonim! Zemrat na thoshin se duhej t’ i përgjigjeshim ftesës..! Dorën në zemër, unë nuk kisha marrë guximin të udhëtoja aq larg, as edhe gjer te bija ime Nita e dhëndri Minir, të cilët jetojnë po aq larg sa jeton dhe motra jonë Elena Busciacco (Bushako) me familjen e saj. Prej frikës iket, prej turpit s’ iket, i them Afërditës, duhet të shkojmë! Ishte si njëfarë ultimatum! Në të tilla raste nuk ma prish: “Shkojmë!” Dhe po tha shkojmë, as plumbat nuk e ndalojnë! Gjallë apo vdekur do të ishim atje! Mëngjesi i 19 gushtit 2019, mëngjesi i ditës së hënë erdhi. U bëm gati. Vura adresën në telefon dhe çamë rrugëve të Nju Xherzit e të Pensilvanisë. Çudi! Rruga nuk na u duk aq e gjatë sa e mendoja unë..! Ishte diçka e ndjeshme, ishte diçka e brendshme, ishte në pyetje gjaku jonë i shprishtë! Gjaku jonë arbëror, Shpirti arbëror. Shpirti i arbërit nuk vdes kurrë! Ishte në pyetje ndarja, një ndarje 550 vjeçare, një ndarje tmerrësisht e padrejtë! I them time shoqes edhe 4 minuta dhe mbërrimë te Elena. Afër qenkemi! Ç’ m’ u desh që fola! Dreq o punë! Çdo të bëjmë tani!? Çfarë u bë? – pyeti Afërdita. S’ ka valë telefoni, i them. Pas dy tre manovrimesh, të shkoj këndej, të shkoj andej… aha, nuk aktivizohet telefoni. U ndala. Iu afrova portës që ishte aty afër dhe që i pyeste shoferët se nga shkonin!? Iu drejtova një zonjës që ishte si portiere, me atë anglishten time: më falni ku gjendet kjo adresë dhe ia tregova. Këtu – tha. Ky është Bushkilli. Bushkill është katundi ku jeton familja e Elenës. Faleminderit shumë! E gjetëm. Nga aty nga hyrja e kompleksit kishte edhe plot 4 minuta. U nisëm. Shikonim numrat në anën e djathtë, se andej na tregonte GPS – i shtëpinë. E gjetëm numrin. Një shtëpi e bukur dhe e rregulluar mirë e me shije. Dielli shndrite. Vapë e durueshme. U afruam te dera. I rash ziles. Doli Elena. Me një buzëqeshje tipike arbërore – shqiptare. “Mirë se vini motra ime dhe vëllai im!” Na mori të dyve në grykë. Na përqafoi fortë. Një ndjenjë drithëruese ma përshkroi shtatin. Një takim me gjakun tonë pas 550 vjetësh. Erdhi bashkëshorti i Elenës, erdhi e bija Sara, na përshëndetën përzemërsisht. Një burrë fjalëpak e me zemër të madhe. Biseda filloi me urimet e përshëndetjet si në kohë të Skënderbeut. Të përmallshëm 550 vjet, bëmë një oqean me muhabet! Dilema: sesi do të merreshim vesh, si do të kuptoheshim, iku sakaq! Iku menjëherë! Elena e fliste arbërishten, gjuhën e mëmës dhe tatmadhit (gjyshit) mrekullisht bukur edhe pse kishin kaluar tridhjetë e gjashtë vjet që nuk kishte pasur mundësi në Amerikë të komunikonte në arbërisht. Shtëpia e saj vezullonte nga pastërtia. Çdo gjë në dhomën e ndenjes ishte sistemuar në mënyrë të përsosur. Domosdo në kënd do të qëndronte flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare, si në Motin e Madh të epokës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, stolisur me fotografitë e saj të nusërisë. Jeni lodhur nga udha, do të hami e do të pimi! E shtroi tryezën me të gjitha të mirat. Ato ushqime që kishte përgatitur Elena me aq dashuri e përkushtim, na dukeshin sikur vinin nga thellësitë e shekujve, nga Moti i Madh! E uruam për mikpritjen madhështore që na bëri. E uruam për dasmën e djalit dhe dasmën e vajzës! Tani e kemi më se të qartë: pse populli jonë ka aq shumë fjalë të urta për mikpritjen!? Ajo me të vërtetë qenka e shenjtë. Elena, bashkëshorti dhe e bija e saj na pritën me të vërtetë me çere (çehre), plot mirësi e dashuri. Ne shkuam me gjithë të mirat por dhuratë më e çmuar për atë familje intelektuale ishin librat e mi. Në faqet e të cilave vend të merituar zënë arbëreshët në përgjithësi e “Biltë e Firmozës” dhe Elena në veçanti. Elenës iu duk sikur ia dhash Arbërinë (Shqipërinë) matanë detit..! - Rrënjët tona nuk janë ati, rrënjët tona janë atij, në Albani! Këtë fjali Elena e shqiptoi, me zemër, me dashuri po aq me dhembshuri!

Ç’ është ky mall, ç’ është kjo dashuri..?
Për tokën e të parëve, për ty, moj, Arbëri!?
Bëm dhe fotografi, për të mos u harruar kurrë ai takim.
Bashkë me Elenën i recituam 4 vargjet e poezisë së Zef Serembes “Vrull” (Rrutullup):
Arbëria matanë detit na kujton,
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron,
Që ne turku na la pa mëmëdhe.
Shpesh e ndërpriste bisedën për shkakun tim dhe për këtë më vinte keq po s’ kisha ç’ t’ i bëja…! Të tillë jemi ne krijuesit, ne studiuesit, asgjë nuk ia lëm rastësisë..! Unë merrja shënime te notesi im, mbase kjo dhe e bezdiste Elenën motrën tonë, po këtë situate mbase të “pakëndshme”, e tejkalonte me buzëqeshjen e saj. Mora të gjitha shënimet dukej sikur i përpija fjalët arkaike të Elenës si i eturi për ujë. E folmja e saj të kujton të folmen e Gjon Buzukut, me trajtën e shkurtër të përemrit vetor U (Unë). Në pamundësi tani për tani t’ i shënoj të gjitha fjalët arkaike të arbërishtes, do të shënoj vetëm disa prej tyre si: mburthonj për tregoj, Nëng kam mot për nuk kam kohë, vjefër për vjehrra – vjehrri (Im vjefër – Ime vjefër), vetëm përemri ka gjini! Është pjakë murga! A ka më shqip se kjo!?
Na prezentoi me veshjen arbëreshe, me kostumin e saj të preferuar. Na prezentoi një për një dobësinë e saj grupin karakteristik të këngëve dhe valleve arbëreshe – shqiptare “Biltë e Firmozës”. Ky është vëllai im Giovanni (Xhovani) Buono Busciacco (Bushako), ky është koci i grupit “Biltë e Firmozës”. Si? Çfarë? Çfarë është koci? E çoi dorën lartë, dhe preku kokën. Xhovani është koci (koka) e grupit. Koka e grupit, udhëheqësi i grupit. U kuptuam. Sa me dashuri fliste për ta. Çdonjërin prej tyre në fotografi e mëkonte me mall dhe me dashuri motre.
Ora kishte vajtur 5 e pasditës, pa e diktuar. U ndamë nga motra jonë Elenë, me mbresat më të mira dhe me dëshirën e flaktë që të takohemi sa më shpejtë, përsëri te jona shtëpi.