Doktor Artan Dika nga Struga:Shpesh pas “të vërtetave” në media që i shohim paguhet rëndë..!!?

Duhet të kenë kaluar 9 ose 10 vjet. Nuk e mbaj mend sakt. Një ekip i përbërë nga 7 kirurgë (një kirurg vaskular, dy traumatologë dhe tre kirurgë plastikë) bënë replantimin e gjymtyrës së poshtme të amputuar traumatikisht, tek një pacient që nëse nuk gaboj ishte tek të 35-tat. E thënë me fjalë popullore i ngjitën atij këmbën e prerë. Operacioni zgjati mbi 5 orë. Pacienti nga Gostivari ishte sjellë me urgjencë pasi kishte pësuar aksident komunikacioni të rëndë në autostradë. Këmba e djathtë ishte amputuar nën gju. Ajo u soll veç, ndërsa pacienti i lënduar veç. Në arkivin me dhjetra-mija foto të rasteve të ndryshme të operacioneve ende janë 54 fotografi dhe 6 videoinçizime të shkurtra që herë pas here ma kujtojnë këtë rast. Operacioni kishte sukses. Këmba mbijetoi. Më i vjetri nga kolegët pjesëmarrës në operacion më rekomandoi që meqë e kisha pranuar pacientin nga urgjenca në klinikën time të thërras ndonjë televizion për ta treguar si rast i cili në këtë vend ndodh rallë. Kontaktova një televizion kombëtar privat në gjuhën shqipe. Kryeredaktori shprehu interesim për rastin dhe dërgoi një gazetare. Gazetarja e intervistoi pacientin. Dhamë edhe nga një deklaratë të shkurtër bashkë me kolegun e traumës e të vaskulares. Kërkoi t’ja dërgoj edhe fotot. Më pas më njoftoi se e ka bërë gati edhe kronikën. Tha se kanë ngarkesë të lajmeve por se kronika do të emitohej në lajme në një nga ditët në vazhdim. Ditët kaluan rradhazi. Kronika nuk u emitua.
Pas një jave pash një lajm në këtë të televizion se si gruaja nga Kosova me probleme zemre kishte lindur fëmijën me sukses në një spital privat në Shkup.


Shpesh pas “të vërtetave” në media që i shohim paguhet rëndë. Jo çdo gjë që na i servojnë ato, jo vetëm në Maqedoni e Shqipëri, është ashtu si ato na i servojnë. Nuk është vetëm Aliu që i thoshte shoqit të vet te përgjimet se ja kanë mbush qesen rëndë televizionit për ta bërë punën në favor të tyrin. Kështu ndodh edhe në shumë situata tjera.


Kohë më parë kontaktova me pacientin, të cilin e kam edhe në listen e miqve në FB. Ai vazhdonte të ruajë respektin e asaj kohe … në fund të fundit kjo është ajo që ka rëndësi.