Xhamia më e madhe e Evropës që strehon 30,000 besimtarë është hapur në qytetin Shali në Çeçeni. Hapja e xhamisë, ndërtimi i së cilës zgjati shtatë vjet, mblodhi së bashku mijëra besimtarë muslimanë, përfshirë shumë të ftuar nga pjesë të tjera të Rusisë, Lindjes së Mesme, ish-republikave Sovjetike…
Edhe pse u mendua deri në momentin e fundit që xhamia e re do të emërohej me emrin e ish-udhëheqësit çeçen Akhmat-Hadzi Kadyrov, i cili lindi 68 vjet më parë, djali i tij dhe presidenti aktual Ramzan Kadyrov i befasoi të pranishmit.
“Xhamia u emërua ‘Krenari e muslimanëve – Profeti Muhamed’. Ne u bëmë pjesëmarrës në një ngjarje epokale – hapjen e shtëpisë së bekuar të All-llahut të Plotfuqishëm, unik në modelin e saj me madhështinë dhe bukurinë e mrekullueshme”, tha Kadyrov dhe falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në ndërtimin e xhamisë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe një përfaqësues i autorizuar i Kremlinit, Alexander Matovnikov, i cili uroi banorët e Ceçenisë dhe të gjithë muslimanët rusë për hapjen e një xhamie të re, duke përcjellë dhe urimet e Putinit.
“Krenaria muslimane është një kryevepër e arkitekturës islame që mishëroi stilin persian, Azinë Qendrore dhe Bizantin. Eshtë xhamia më e madhe në Evropë”, tha Matovnikov, duke lexuar urimet në emër të presidentit Vladimir Putin.
“Realizimi i këtij projekti të madh, mbresëlënës është një ngjarje domethënëse për banorët e Shalit dhe të gjithë Republikës Çeçene që ushtrojnë besimin Islam. Xhamia e re është krijuar për t’u bërë një qendër e rëndësishme shpirtërore, edukative, një burim i promovimit të vlerave të vërteta dhe të qëndrueshme të Islamit, një qendër e jetës fetare dhe kulturore për myslimanët në të gjithë rajonin”, ishte mesazhi i Presidentit Putin, i cili shprehu shpresë se xhamia e re do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe harmonisë në shoqëri.
Xhamia “Krenaria e muslimanëve – Profeti Muhamed”, është e vendosur në më shumë se pesë hektarë jo larg nga kompleksit rezidencial të qytetit të Shalit, 35 kilometra nga Grozny. Minaret janë të larta 63 metra në katër anët e xhamisë, dhe kubeja e xhamisë është e lartë 43 metra. Autori i projektit është arkitekti uzbek Abdukahar Turdiev.
Ndërtesa ndërthuret në mënyrë harmonike me arkitekturën e qytetit, e mbuluar me mermer të bardhë borë, të sjellë veçanërisht nga ishulli grek i Thassos. Materiali dallohet nga vetitë e tij të veçanta reflektuese që lejojnë që temperatura të stabilizohet në mot të nxehtë.
Brenda xhamisë janë 12 burime dhe pemë nga Holanda, si dhe 48 lloje trëndafilash. Edhe brenda ka një dekorim luksoz, ku mbizotëron një llambadar fantastik 2.5 ton i zbukuruar me kristale Swarovski.