Pra, lamtumirë o poezi…
( përpara një pauze të detyrueshme)
Nisu dhe ti merr arratinë
Gjeje një shtrat pak më të ngrohtë
Ku mirëmëngjes’ me mall në sy
Një poet tjetër do të thotë…
Qëmoti fjalët më kërleshen
E s’gjej një rimë, ta marrë dreqi,
Ik e mos prit të shohësh sheshit
Nga një zhgënjim si vdes poeti…
Qyteti im…
Qyteti im, një kryeishull
I albatrosëve zhurmëtarë
Ka shpirt e zemër të pabindur
Se i liqenit është kapilar…
Të varkës mite aty zënë fill
Për Zef Serembe e Odise.
Atdhe i fjalës (qyteti im)
Dhe varr shenjtorësh të paatdhe…