Pas çdo frike, fshihet një shans…

Pas çdo frike, fshihet një shans

David Lettermen dridhej si purteka sa herë që profesori i kërkonte të prezantojë një emision lajmesh të improvizuar para kolegëve të tij në klasë, gjatë studimeve universitare në Indiana, SHBA. Pështyma i thahej në gojë, zemra e rrihte fort, trupi i dridhej, fleta që mbante në dorë i dridhej, e bashkë me ta tundej e gjithë klasa nga gajasjet e kolegëve të tij. Asnjëherë nuk arriti të prezantojë një punim të plotë para klase, pa iu mbajtur goja dhe pa u djersirë. Kushdo që do e shihte Davidin pas prezantimit, do i dukej si një pjesëmarrës në një maratone të gjatë, ose si një boksier që sapo ka dalë nga ringu me nokaut, për shkak të rrobave gjithë djersë dhe fytyrës verdhacuke gjithë ankth.
Performanca e tij e dobët pasqyrohej dhe tek notat, e për rrjedhojë dhe shanset për të gjetur një punë që ia vlente ishin zero.
Frika për të folur para publikut ishte pika e tij më e dobët. Pas shumë përpjekjesh, David vendosi të heqë dorë nga televizioni, duke gjetur shpëtim tek radiot, pasi aty nuk e gjurmonte fobia e kamerave dhe publikut me sy të zgurdulluar drejt tij.
Performanca e tij në radio ishte më e mirë, por këtu iu shfaq një problem tjetër, nuk respektonte dot oraret e regjistrimit të programeve dhe emisioneve. Veç kësaj, kishte problem se nuk përgatitej fare për programet e shkurtra që prezantonte. Pas një emisioni, regjisori i tha që të heqë dorë nga puna në radio, duke i shtuar:”As dhe një ditë të vetme nuk kam vënë re që ta shijosh punën këtu. Prandaj, të këshilloj të gjesh një punë nga e cila nuk do të doje të largoheshe edhe pas përfundimit të orarit!”
Këto fjalë të regjisorit iu skalitën në mendje duke mos iu shqitur asnjëherë. Ai u vu në kërkim të profesionit që do i jepte kënaqësi, atij profesioni nga i cili nuk dëshironte të shkëputej as pas orarit zyrtar. Por një punë e tillë nuk dukej gjëkundi në horizont.
Punoi në një gazetë të vogël lokale, në agjencitë e lajmeve, marrëdhënie me publikun … por asnjë prej tyre nuk i falte kënaqësi duke zgjatur për rrjedhojë shumë pak, për t’ia lënë vendin një tjetre të ngjashme. Një vend pune i zgjaste një muaj, e një tjetër nuk plotësonte javën.
Një natë dimri të acarrtë, iu desh të shoqërojë një kolegun e tij brenda ndërtesës së një televizioni lokal në qytetin ku jetonte. Miku i tij po montonte një material televiziv, ndërkohë që David shëtiste në dhomat brenda ndërtesës. 
Teksa lëvizste nga një ambient në një tjetër, ndjente emocione pozitive që i zgjoheshin karshi ambienteve ku ndodhej. Në ato çaste mori një vendim: Të përballej me frikën e të folurit para publikut, atë frikë që e gozhdonte sa dilte para kamerës dhe para publikut. Mblodhi disa të afërm dhe përballë tyre, në një dhomë të vogël, filloi të lexojë lajmet komike. Në përpjekjen e tij të parë publiku buzëqeshi. Në përpjekjen e tij të dyte, askush nuk buzëqeshi, sepse të gjithë u shkrinë gazit.
Kjo përvojë modeste e nxiti Davidin më shumë për tu konfrontuar me armikun e tij të egër, të folurën para publikut dhe kamerës. Ai qullej në djersë gjatë testeve që kryente teksa intervistohej për vende pune. U refuzua në gjashtë kanale televizive, megjithatë nuk hoqi dorë. I shtati e pranoi. Personi që e cili e pranoi në punë, teksa i zgjati një shami i tha:”Nuk prish punë nëse djersin, por mund të mbash një shami në xhep që të fshish djersët në ball, para se të dalësh në ekranin e televizorit!”
Që atëherë, David mban një shami në xhep, jo për të fshirë djersët, por për të fshirë lotët e gëzimit që i rrjedhin nga sytë sa herë që del nga studio si fitimtar i madh në programin “Late Shou Night”.
Lettermen e filloi jetën i gozhduar nga frika para kamerës dhe publikut, por pasi u miqësua me këta të dy, u shndërrua në një yll që ndiqet nga mijëra persona brenda studioes, e nga miliona nga ekrani i TV.
David Lettermen e filloi rrugëtimin e tij si prezantues i motit, raporteve televizive, programeve të mëngjesit etj… për të përfunduar si një prezantuesh i një nga programeve komike më të ndjekur në Amerikë dhe në botë.
Programi i tij ka fituar çmimin Emmy për produksionet televizive 12 herë përgjatë 20 viteve, ashtu siç ka fituar çmime të tjera për prezantime dhe ese. David prezantoi ceremoninë e shpërndarjes së çmimit të 67-të Oskar në vitin 1995, para yjeve më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Pas gjërave që kemi frikë, fshihen shumë suksese tonat. Ajo që kërkohet prej nesh është që të përballemi me frikërat tonë, ti largojmë nga rruga dhe pas tyre të zbulojmë thesaret e fshehura. Frikërat tona nuk e meritojnë gjithë këtë panik. Pas frikës që të ka pushtuar, mund të fshihet shansi më i madh në jetën tënde!