
Sonte në orën 21:00 hap siparin edicioni i 6 i Festivalit Ndërkombëtar Artistik “K’tu Fest”.
I organizuar si gjithnjë nga teatri Poshka ky festival ka mundur të sjellë në qytetin e Strugës disa nga emrat më të rëndësishëm të skenës dhe fimit si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Yllka Mujo, Bujar Kapexhiu dhe pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorit Robert Ndrenika i cili është dhe President Nderi i këtij festivali. Për 5 ditët e festivalit do të vijnë disa nga emrat dhe veprat më të mira të këtij viti si filmi “Cold November” nga Ismet Sijarina, shfaqja “Hollyshit” nga Ilir Bokshi, ekspozita e Albanian Excellence “121 jetë suksesi në 121 foto”, trupa e teatrit të Gjilanit me shfaqen “T’fala nga Gjilani2”, film dokumentar nga Ilir Harxhi apo shfaqja “Tregim Zoologjik” nga regjisori i ri Gent Mehmeti.
Të gjitha mbrëmjet do të vazhdojnë me festë muzikore ku këngëtari shqiptar Erion Beci që ka ardhur enkas nga Gjermania për netët e “K’tu Fest-it” do të bashkojë artistët dhe spektatorët në tingujt e këngëve më të mira shqiptare.
“K’tu Fest” është festivali i vetëm veror i kësaj natyre që zhvillohet në Strugë për vitin e 6 radhazi duke e shëndruar këtë qytet në vendin e artistëve më të mëdhenj që vijnë të shijojnë një nga perlat e Maqedonisë së Veriut si Struga është duke i dhënë kuptim shprehjes se Çdo rrugë të çon në Strugë.
