Ligji për shtetësinë shqiptare/ Hiqen kufizimet për qytetarët e Kosovës. Shtetësi edhe për ata që lindin në Shqipëri me një prind të huaj. Fitimi dhe rifitimi i shtetësisë për të huajt. Dekreti për pasaportën, 60 ditë afat
Enda Vërça
Këshilli i Ministrave ka propozuar një projektligj të ri për “Për Shtetësinë”. Në këtë projektligj janë bërë disa ndryshime për mënyrën se si mund të përfitohet shtetësia shqiptare. Në nenin 6 të këtij projektligji përcaktohet “Fitimi i shtetësisë me origjinë”. Sipas këtij neni u krijohet mundësia të gjithë shqiptarëve, të cilët kanë lindur në shtete të tjera, por që mund të provojnë origjinën e tyre, t’u jepet e drejta e nënshtetësisë. “Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin. Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit”, thuhet në këtë projektligj.
Fitimi i shtetësisë
Një tjetër ndryshim në projektligj është edhe dhënia e shtetësisë shqiptare për këdo që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Neni katër i këtij ligji “Mënyrat e përftimit të shtetësisë”, shtohet edhe lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, çdo person i cili lind brenda territorit, edhe pse njëri prej prindërve të tij nuk ka shtetësi shqiptare, atij në mënyrë të drejtpërdrejtë i lind e drejta për të fituar shtetësinë shqiptare. “Kushdo që lind, duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare dhe regjistrohet si shtetas shqiptar. E drejta për t’u regjistruar si shtetas shqiptar nuk parashkruhet edhe pasi ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç”, sqaron ky projektligj.
Fitimi i shtetësisë me origjinë
Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin. Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara. Ky nen ka rëndësi themelore sepse i hap rrugën fitimit të shtetësisë të të gjithë qytetarëve me kombësi shqiptare, përfshirë ata në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e më tej. Në të njëjtin draft përcaktohet se ligji në fuqi, ai me nr. 8389, shfuqizohet, sikurse edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, me nr. 554 “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”. Pra kufizimet juridike për shqiptarët e Kosovës tashmë bien dhe ata janë të lirë të aplikojnë për shtetësi shqiptare që e fitojnë duke provuar origjinën shqiptare.
Heqja e shtetësisë
Shtetësia shqiptare hiqet pa kërkesë në rastet, si më poshtë vijon: a) Kur vërtetohet se shtetasi ka paraqitur dokumente të falsifikuara për fitimin e shtetësisë; b) Kur shtetasi përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Në rastin e heqjes së shtetësisë, sipas përcaktimit të bërë në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, shtetësia hiqet në bazë të informacioneve të verifikuara nga institucionet përgjegjëse ligjzbatuese dhe brenda një afati 10-vjeçar nga bërja e betimit.
Dekreti për fitimin dhe lënien e shtetësisë
Presidenti i Republikës, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga paraqitja e propozimit nga ministria, nxjerr dekretin përkatës dhe ia komunikon personit që ka paraqitur kërkesën, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Në rast se kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues nuk janë të plota, i kthehen për plotësim strukturës përgjegjëse për trajtimin e çështjeve të shtetësisë në Ministrinë e Brendshme, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes. Kopje e dekretit për fitimin, rifitimin ose lënien e shtetësisë shqiptare i dërgohet edhe Ministrisë së Brendshme për të kryer veprimet e nevojshme administrative.
Rastet e veçanta
Disa nga rastet e veçanta kur fitohet shtetësia shqiptare nga një shtetas i huaj është. “Ka mbushur moshën 18-vjeç dhe kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit. Procedura e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme nga institucionet përgjegjëse, në rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë, sipas këtij neni, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë. Kriteret për fitimin e shtetësisë, programet e veçanta që zbatohen për rastet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, si dhe procedurat e verifikimit dhe monitorimit miratohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë”, nënvizon projektligji.