Kuvendi miratoi disa propozim-ligje, do të vazhdojë me punë më 27 gusht

Kuvendi në suaza të  vazhdimit të pasdites së mbledhjes së 109-të i miratoi Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së RMV-së dhe Qeverisë së  Republikës së Serbisë për vendosjen e e kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion ndërkombëtar rrugor Tabanoc (Republika e Serbisë), propozim-ligjet e plotësuara për tokë bujqësore në lexim të dytë, për automjete, për aviacionin në lexim të parë…

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski në arsyetimin e Propozim-ligjit për ratifikim të Marrëveshjes mes Qeverisë së RMV-së dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion ndërkombëtar rrugor Tabanoc, tha se pritet që vendkalimi kufitar të fillojë të funksionojë më 26 gusht. Theksoi se ky është edhe një konfirmim i angazhimeve për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore apo politikës së mirë fqinjësore të Qeverisë. Kjo Marrëveshje, potencoi, është e para dhe ky është një moment historik, sepse për herë të parë vendi ynë vendosë vendkalim të përbashkët kufitar me një vend fqinj.

Paralajmëroi se vendkalim të këtillë të përbashkët kufitar do të ketë edhe në Qafë Thanë, ndërkaq do të hapet edhe vendkalim i ri kufitar me Republikën e Serbisë dhe atë në shtrirjen Llojan – Miratoc, ku bashkëqytetarët tanë duhet të kalojnë nga 20 kilometra për të ardhur në Tabanoc.

Deputeti Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE tha se do ta mbështesin ratifikimin, i cili, siç theksoi, do t’i përshpejtojë kontrollet në vendkalimin kufitar mes dy vendeve.

Në propozim-ligjin e plotësuar për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për automjete thuhet se etiketë të gjelbër ekologjike do të mund të marrin automjetet që e përmbushin standardin EURO 5 dhe më shumë, por edhe automjetet me standard EURO 4 dhe EURO 3 në të cilat është instaluar pajisja për gaz apo metan, si dhe automjetet hibride dhe elektrike. Nga kategorizimi përjashtohen automjetet e ushtrisë, policisë, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë, si dhe automjetet e personave me pengesa. Shpenzimi për etiketën ekologjike do të jetë në barrë të qytetarëve, ndërsa për dhënien e etiketës së gabuar ekologjike është paraparë gjobë prej 250 eurove në kundërvlerë të denarit për personin përgjegjës në shërbimin teknik.

Implementimi i vendimit ligjor do të fillojë 12 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit me qëllim që të harmonizohet me ligjet e tjera, ndërsa në tre vitet e para të zbatimit të ligjit pronarëve të automjeteve me standard EURO 4 do t’u mundësohet të marrin etiketë të gjelbër ekologjike nëse kërkojnë.

Me Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për aviacion do të sigurohet harmonizimi me standardet më të reja ndërkombëtare dhe praktikat e rekomanduara nga sfera e aviacionit që dalin nga Anekset e Konventës ndërkombëtare për aviacion civil (Konventa e Çikagos) dhe Marrëveshja multilaterale për sferën e përbashkët ajrore evropiane. Në atë mënyrë do të sigurohet vendosje e standardeve më të larta në transportin ajror, e me atë edhe arritjen e efikasitetit dhe efektivitetit rregullator, ngritjen e nivelit të sigurisë, uljen e rrezikut dhe sigurimin e mobilitetit të qytetarëve.

Kuvendi konstatoi se propozim-ligjet për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për verën në lexim të parë dhe të Ligjit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në lexim të parë parashtruar nga deputeti Panço Minov nuk janë të pranueshme dhe nuk mund të jepen në lexim të dytë të mëtutjeshëm. Kuvendi nuk e miratoi Raportin vjetor për punën e Radio televizionit të Maqedonisë për vitin 2018.

Kjo është mbledhja e fundit e Kuvendit para pushimeve vjetore të deputetëve, Kuvendi do të vazhdojë me punë më 27 gusht.